Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri (PZhRSH) IV është një përpjekje e përbashkët dhe e vazhdueshme, në mbështetje të reformës së Zhvillimit Rajonal në Shqipëri, e bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), dhe e zbatuar në partneritet me Qeverinë e Shqipërisë.

Qëllimi kryesor i PZhR-së është reduktimi i pabarazive në Shqipëri duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të forta, të cilat nëpërmjet mirë-përdorimit të potencialeve që gëzojnë, mund të sigurojnë kushte më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët e tyre. Qeveria e Shqipërisë e konsideron prioritet zhvillimin rajonal dhe ka ndërmarrë një sërë masash për të investuar në mënyrë domethënëse, si në nivel kombëtar dhe atë rajonal, në përmbushje të objektivit të saj kryesor për zhvillimin rajonal: Rritjen e konkurrueshmërisë ndërmjet rajoneve, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik dhe një ekonomi konkurruese e dinamike.

Në këtë kontekst, programi synon gjithashtu të rrisë kohezionin rajonal dhe të reduktojë pabarazitë që lidhen me përdorimin e burimeve, prodhueshmërinë dhe standardet social-mjedisore. Kjo do të rrisë efikasitetin e menaxhimit, duke krijuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, me kapacitete dhe vende pune më të mira, si për gratë edhe për burrat.

Politika për Zhvillimin Rajonal është e rëndësishme për proceset e integrimit në BE duke e orientuar Shqipërinë drejt të njëjtave parime që qëndrojnë në bazë të politikës së kohezionit të Bashkimit Evropian. Në vijimësi, PZhR-ja do të asistojë në zbatimin e kuadrit strategjik, rregullator, institucional dhe financiar për Zhvillimin Rajonal, duke kontribuar kështu në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Objektivat dhe aktivitetet kryesore për fazën e IV të Programit janë: 

  1. Programi do të mbështesë Qeverinë të përcaktojë, koordinojë dhe zbatojë me sukses kuadrin institucional dhe ligjor për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri.

Si rezultat, Programi do të:

> Mbështesë Qeverinë qëndrore në koordinimin, planifikimin, monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Politikës së Zhvillimit Rajonal (planifikimi dhe zbatimi i KKZHR);

> Mbështesë institucionet e Qeverisë qëndrore në koordinimin dhe zbatimin e politikës së Zhvillimit Rajonal nëpërmjet një mekanizmi financiar transparent dhe të orientuar drejt nevojave;

> Mbështesë promovimin ndërkombëtar të Zhvillimit Rajonal në Shqipëri.

  1. Programi do të mbështesë Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe institucionet e tjera përgjegjëse për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri në përgatitjen dhe miratimin e kuadrit programor për Zhvillimin Rajonal, me qëllim përdorimin efikas dhe strategjik të fondeve në rritje për zhvillimin e rajoneve nëpërmjet qasjes së partneritetit.

 Si rezultat, Programi do të:

> Mbështesë procesin e përgatitjes së dokumentave planifikues dhe programorë të Zhvillimit Rajonal bazuar në një proces të gjerë pjesëmarrjeje;

> Mbështesë mekanizmin e partneritetit dhe qasjen për përdorimin strategjik dhe rritjen e fondeve për zhvillimin e rajoneve;

> Mbështesë ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe autoriteteve përgjegjëse për Zhvillimin Rajonal në menaxhimin dhe zbatimin e Politikës së Zhvillimit Rajonal.

  1. Programi ka gjithashtu si objektiv përmirësimin e kushteve social-ekonomike të shtetasve Shqiptarë, përmes identifikimit, financimit dhe zbatimit të projekteve për Zhvillimin Rajonal, të cilat pasqyrojnë nevojat dhe prioritetet rajonale.

Si rezultat, programi do të:

> Mbështesë zhvillimin e kapaciteteve të Autoriteve Shqiptare në ngritjen dhe forcimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit në kuadër të menaxhimit të fondeve publike;

> Mbështesë ngritjen e kapaciteteve për përfituesit potencialë të grantit në zhvillimin e projekt-propozimeve dhe adresimin e nevojave që kanë të bëjnë me konkurrueshmërinë dhe kohezionin;

> Mbështesë përforcimin e kapaciteteve operacionale të Njësive për Zhvillimin Rajonal (pjesë e FSHZHsë) në përgatitjen, zbatimin dhe monitorimin e skemave rajonale të granteve në bashkëpunim me institucionet në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.