Një çerdhe për fëmijë të lumtur

“Një çerdhe për fëmijë të lumtur” është projekti i parë i inauguruar në kuadër të Skemës së Granteve në Mbështetje të Zonave të Prekura nga Tërmeti, mbështetur nga qeveria Zvicerane dhe Austriake. Bashkia Kamëz, një nga përfituesit e Skemës së Granteve që po zbatohet nga Programi i Zhvillimit të Rajoneve në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ka finalizuar projektin e saj që kishte të bënte me ndërtimin e një çerdhe me kohë të plotë në Babrru Qendër. Kjo është çerdhja e parë me kohë të plotë në të gjithë territorin e Bashkisë Kamëz dhe do të jetë e hapur për 80 fëmijë, mes të cilëve edhe fëmijë nga komuniteti rom dhe egjiptian. Ky projekt do të ketë një ndikim të rëndësishëm jo vetëm në edukimin e hershëm të 80 fëmijëve, por edhe në rritjen e mirëqenies së familjeve dhe qytetarëve të komunitetit lokal. Për shkak të shërbimit me kohë të plotë, të dy prindërit mund të kenë më shumë mundësi për të punuar për të siguruar një shërbim të mirë arsimor për fëmijët e tyre të moshës 0-36 muajsh.